Nëntë ditë para përfundimit të afatit për targat ilegale, Qeverisë së Kosovës i kërkohet që mos të shtyjë sërish vendimin për konvertimin e targave të lëshuara nga autoritetet serbe në RKS.
Pavarësisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për shtyrje të afatit edhe për dhjetë muaj, pozitë, opozitë dhe njohës politik, kërkojnë që vendimi të hyjë në fuqi më 1 nëntor.
Nga ana tjetër, nga ekzekutivi thonë se kanë obligim sundimin e ligjit, kushtetutshmërinë dhe zbatimin e vendimeve qeveritare.
Deputeti i partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi, thotë për KosovaPress, se ekzekutivi nuk duhet të bëjë tolerime për shtyrje të afatit.
“Njëherë është shtyrë ky afat. Ata të cilët e kanë planifikuar shtyrjen që është pala jonë dhe bashkësia ndërkombëtare, duhet kuptuar se nuk duhet të bëhen tolerime që e vënë në pikëpyetje vet seriozitetin e normalizimit të marrëdhënieve”, thotë Abazi.
Përkrahje ekzekutivit për vendimmarrje lidhur me targat ilegale i jep edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.
“Vetëm kemi pasur zgjatje të këtij vendimi disa herë nga Qeveria e Kosovës, nuk ka arsye më që ky vendim të zgjatet. Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe institucionet që janë të thirrura për zbatimin e ligjit duhet të reagojnë, vendimin të implementojnë sido që reagojnë qytetarët atje, pasi të njëjtit kanë pasur kohën e mjaftueshme që tabelat t’i regjistrojnë në shtetin e Kosovës dhe regjistrimi ka qenë falas”, thekson Qalaj.
Ndërsa, shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, deklaron se vendosja e datave dhe shtyrja e tyre e dëmton seriozitetin e shtetit të Kosovës.
“Vendosja e datave dhe shtyrja e datave e dëmton seriozitetin e shtetit të Kosovës. Këtë pjesë duhet të kemi kujdes dhe qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme”, thotë ai./KosovaPress