Sali Berisha dhe Ilir Meta firmosën sot paktin për zgjedhjet e ardhshme lokale të 14 majit të 2023-shit. Në bazë të marrëveshjes, Ilir Meta respekton dhe do të pranojë emrat e kandidatëve për kryetarë bashkie që do të dalin nga procesi i primareve të PD-së dhe fokusi i tij do të jetë këshilli bashkiak.
Sot, kryetari i Partisë së Lirisë, tha se i kishte propozuar emrin e parë Sali Berishës, që sipas tyre do të jetë në krye të këshillit bashkiak Tiranë nëse koalicion opozitar fiton. Emrin, Ilir Meta nuk e zbuloi duke e lënë enigmë.
“Referendum dhe primare. Jemi në një sintoni të plotë, kryetari i ardhshëm i bashkisë Tiranë, i opozitës së vërtetë dhe kryetari i ardhshëm i këshillit të bashkisë, parlamentit të Tiranës do të bëjnë spektakël të jashtëzakonshëm në pak muaj.
PL respekton primaret, është risi e jashtëzakonshme. Kemi kërkuar të realizohet sa më shpejt. Kudo që kemi kandidatë që premtojnë do i përfshijmë në primare të përbashkëta me PD-në dhe parti të tjera të opozitës. Kandidatët të respektojnë njëri tjetrin, ndryshe cilido që dëmton primaret të përjashtohet nga gara.
Nuk kam pasur asnjë diskutim për emrin që do të jetë në Tiranë dhe kudo tjetër për arsye se është proces që u takon primareve. Do të respektojmë cdo emër. I kam propozuar një emër për kryetar të parlamentit të Tiranës, që ai e priti me shumë kënaqësi. Do ta mësoni shumë shpejt. Cdo ditë të hënë do të ketë këshill bashkiak të Tiranës për të dëgjuar qytetarët.
Nënë Liza nuk do të rrijë më atje në rrugë, por do të flasë aty, në parlamentin e Tiranës. Është super politikani, emri. Marrëveshja me Berishën është e mbyllur” deklaroi Ilir Meta nga selia e PD-së pas takimit me Sali Berishën mëngjesin e sotëm, që ishte i dyti brenda pak ditëve.