Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar ditën e sotme 6 mijë metra katror në zonën e Himarës. Sipas saj vlera e tokës arrin në shumën 1.8 milionë euro.
Toka ishte në pronësi të Kristo Gjokës.
Ky është rasti i dytë brenda 5 ditëve që prokuroria i “vë shiritin” tokave në bregdet. Në datën 21 të këtij muaj u sekuestruan 60 mijë metra katror tokë me vlerë 8 milionë euro.
Hetimet për tjetërsimin e pronave në zonat bregdetare kanë nisur gjatë vitit të shkuar nga ana e Prokurorisë së Vlorës.
Gjatë hetimeve, ka rezultuar se punonjës të Drejtorisë së Administrimit dhe Mbrojtjes së Tokës, në bashkëpunim me persona të tjerë, gjatë vitit 2020 e në vijim janë nxjerrë nga arkivat e kadastrës së Këshillit të Qarkut Vlorë dokumente origjinale si akte të marrjes së tokës në pronësi, akte të marrjes së tokës në përdorim, formularë nr.6 etj., dokumente të cila janë riprodhuar duke hequr origjinalet e ndara sipas ligjit.7501 “Për ndarjen e tokave bujqësore”, duke i zëvendësuar ato me dokumente të riprodhuara dhe të falsifikuara, duke shtuar në to sipërfaqe fiktive të tokës në bregdet.