Ditën e sotme Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen është takuar edhe me presidentitn e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj
Begaj theksoi se takimi me Von der Leyen është i një rëndësie të veçantë dhe së bashku shpreson të arrijnë sa më shpejt integrimin e Shqipërisë në BE.
“Niveli i ri i marrëdhënieve të Shqipërisë me BE-në pas çeljes së negociatave dhe vendosmëria e vendit tim për të përshpejtuar ritmet e integrimit evropian, e bëjnë vizitën tuaj në Tiranë të veçantë dhe të rëndësishme”- theksoi Presidenti i Republikës së Shqipërisë.
Kjo vizitë, vijoi më tej Presidenti i Republikës, jo vetëm konfirmon bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston mes nesh, por është edhe një mesazh inkurajimi dhe mbështetje e madhe për Shqipërinë në këto momente kërcënimesh e sfidash për paqen dhe sigurinë e rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Nga ana e saj Ursula von der Leyen, pasi shprehu kënaqësinë që takohet me Presidentin Begaj vetëm pak muaj pasi ai është zgjedhur në këtë detyrë, vlerësoi rolin e Shqipërisë si një faktor i rëndësishëm stabiliteti në rajon dhe evidentoi progresin e rëndësishëm që Shqipëria po bën në rrugën e saj të integrimit evropian.
Kryetari i Shtetit shqiptar e siguroi Presidenten e Komisionit Evropian se Shqipëria është e vendosur për të vijuar me agjendën evropiane dhe se objektivi i saj për integrimin në BE është i pandryshueshëm. Raporti i Progresit për Shqipërinë është një udhërrëfyes i paanshëm dhe i nxit të gjitha institucionet shqiptare të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme, transparente dhe gjithëpërfshirëse.
Presidenti Begaj nënvizoi domosdoshmërinë e ruajtjes së vëmendjes së BE-së dhe vendeve anëtare ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar vendimin më të fundit të marrë nga Presidenti i Këshillit Evropian për zhvillimin së afërmi në Tiranë, të takimit të nivelit të lartë BE-Ballkani Perëndimor.