Njeriu më i pasur në botë mbylli marrëveshjen me vlerë 44 miliardë dollarë për blerjen e Twitter. Ai pushoi menjëherë nga puna pesë krerët më të lartë ekzekutivë të kompanisë.
Sipas “New York Times”, mes atyre që u pushuan nga puna është drejtori ekzekutiv i Twitter, Parag Agrawal. Së bashku me drejtuesin financiar, drejtuesin ligjor, atë të politikave dhe këshilltarin e përgjithshëm të kompanisë.
Pak orë më pas, Musk publikoi në Twitter:
“Zogu është i lirë”, duke bërë analogji me logon e kompanisë së sapoblerë.
Ai gjithashtu postoi një video të tij duke hyrë në zyrat qendrore të Twitter, me një lavaman porcelani në duar. Mbishkrimi i videos ishte: “Hyrja në selinë e Twitter – le të fundoset!”
Pronari i Teslas, ndryshoi gjithashtu të dhënat në profilin e tij në Twitter, duke theksuar punën e tij. Ai ndryshoi gjithashtu vendndodhjen, duke vënë atë të selisë së Twitter në San Francisco.
ÇFARË DO TË NDODHË TANI ME TWITTER DHE MUSK?
Gjatë së enjtes (27.10) ai shpëndau një mesazh me anë të së cilit vuri në dukje se kishte pasur spekulime rreth qëllimeve të tij për blerjen e kësaj platforme dhe ripërsëriti qëndrimin e tij, se e kishte blerë Twitter për të “ndihmuar njerëzimin”.
Në fillim të kësaj jave, aksionet e Twitter iu afruan vlerës së ofruar nga Elon Musk, si një shenjë që shitësit po jepnin për t’i dhënë fund biznesit në shifrën prej 44 miliardë euro, për të shmangur në këtë mënyrë vendimin gjyqësor që do të jepej në fund të javës.
Afati kohor për të premten (28.10) ishte përcaktuar në fillim të muajit tetor nga gjykata e Delaware. Vendimi pasoi një betejë epike, gjatë së cilës Musk firmosi fillimisht kontratën për blerjen e Twitter. Por, më pas hoqi dorë prej saj.
Menjëherë më pas, kompania paditi Musk duke e detyruar atë ta çonte deri në fund marrëveshjen fillestare. Nëse të dyja palët nuk do ta respektojnë këtë afat kohor të dhënë nga gjykata, një tjetër seancë mund të zhvillohet në muajin nëntor.
Shumë përdorues të Twitter kanë shprehur shqetësimin e tyre lidhur me pretendimin e Musk për të mbrojtur “lirinë e shprehjes” në këtë platformë. Përfshirë edhe mundësinë për rikthimin e ish presidentit Donald Trump. Këtij të fundit që iu ndalua përdorimi i Twitter pas trazirave që shkaktoi në 6 janar në Capitol Hill.
Marrëveshja e biznesit për të lënë platformën e medias sociale në duart e personit më të pasur të botës, ka ngritur shqetësime./DW