Në seancën solemne për shënimin e Pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Albin Kurti ka theksuar rëndësinë e përkujtimit të sakrificave të popullit për arritjen e lirisë. Ai theksoi se nuk mund të bëhet asnjë kompromis për Republikën dhe sovranitetin e Kosovës, pasi ato janë thelbësore për lirinë dhe zhvillimin e vendit.
“Dita e sotme është ditë përkujtimi për të gjithë ata burra dhe gra e fëmijë, që flijuan shumëçka e gjithçka për Republikën e Kosovës. Aktivistët e luftëtarët që u përpoqën për jetësimin e Republikës, së paku që nga viti 1968 e më tej, ndoshta s’e kishin të njëjtin vizion se si do të ishte Republike, por kishin të njëjtën dëshirë për liri. Republika në radhë të parë është institucion i lirisë, shprehje e sovranitetit, mjet për zhvillim. Prandaj kur vjen fjala te Republika dhe sovraniteti ne nuk mund të lëshojmë pe, sepse nuk bëjmë dot kompromis me lirinë dhe zhvillim.”
Kurti gjithashtu i quajti të padrejta akuzat ndaj luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se ato nuk marrin parasysh kontekstin historik dhe politik të luftës çlirimtare, nga e cila Kosova fitoi lirinë.









