Vetëm 5 ditë pas arrestimit të Luis Gaxhit alias Isait dhe mikut të tij Rigers Spahiut, policia kriminale e Elbasanit, ka ushtruar një kontroll tjetër, por këtë herë në 2 banesat e Arben Spahiut.
Kontrolli i shtëpive të këtij personazhi është motivuar nga indiciet e forta, që ka pasur policia e këtij qyteti, se arsenali i armëve të gjetura në çatinë e shtëpisë së Luis Gaxhit, i përkiste pikërisht Arben Spahiut.
Arben Spahiu është vëllai i Arjan Spahiut, të vrarë në Belgjikë në vitin 2020 dhe njëherësh Spahiu është kunati i Erjon Alibej, i cili aktualisht ndodhet në burg si i akuzuar nga SPAK, për urdhërimin dhe financimin e një seri vrasjesh në Durrës, Peqin dhe Elbasan.
Gjatë kontrollit të banesës së Arben Spahiut, nuk janë gjendur sende të paligjshme, që do i shërbenin hetimit të çështjes.
Policia dyshonte se në banesë Arben Spahiut, kishte armë dhe një vlerë monetare, ndaj në datën 25 Tetor 2022, ka ushtruar kontrollin, pas marjes “ok” nga gjykata e Elbasanit.
Sipas materialit hetimor, rezulton se Arben Spahiu, dyshohet se është i përfshirë në veprimtarinë kriminale të planifikimit të vrasjes së, Abedin Mama (Dine Çamit) dhe Elton Kila alias (Otit të Elbasanit).
Dyshohet se motiv për këto atentate të mundshme, është hakmarrja pasi Abedin Mama dhe Elton Kila, kanë qënë të përfshirë në vrasjen e Endrit Alibej dhe Andi Zylyfit.
Sipas prokurorisë, Arben Spahiu, është kunati i të arrestuarit Erjon Alibej, vëllai i viktimës Arjan alias Ardit Spahiu dhe djali i tezës së Everest alias Ibrahim Caka, i vrarë në 11 Maj në 2021.
Numri i telefonit të Arben Spahiu, është gjendur në celularin e shtetasit Xhafer Deliu, një personazhi i arrestuar për Dhunë në familje dhe Prodhim dhe shitjeve të lëndëve narkotike heroinë, në 8 Tetor 2022 në Elbasan.
Numri i telefonit ishte rregjistruar me gërmën “B”. Përmes verifikimeve policia ka mësuar se “B” ishte pikërisht Arben Spahiu.
Por gjatë kqyrjes së telefonit të Xhafer Deliut, u gjetën dhe u fiksuan në rubrikën “Delete”, disa komunikime të dyshimta që i Xhafer Deliu kishte kryer me numrin “B”, që i përket Arben Spahiut.
Përveç këtyre komunikimeve, në telefonin e Xhafer Deliut, janë gjetur disa foto të Abedin Mama “Dine Çamit”, i cili është person i shpallur në kërkim në kuadër të Operacionit “Golden Bullet”.
Abedin Mama, është burri i tezes së Mikael Kamami alias (Qosja) “Keli i Kicit”, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Golden Bullet” si një nga autorët e dyshuar të vrasjes së Endrit Alibej dhe dy shoqëruesve të tij, Erdal Durunay dhe Arben Dylgjeri, ngjarje kjo e ndodhur në vitit 2018.
Rrjedhimisht Mikael Kamami edhe të afërmit e tij, sipas të dhënave policore, janë aktualisht në hasmëri me Erion Alibej, që është vëllai i Endrit Alibej dhe midis këtyre dy grupeve kriminale, ka patur ngjarje kriminale dhe porosi por që kanë mbetur pa realizuar.
Abedin Mama ka qenë më parë objekt porosie për vrasjen e tij nga grupi Alibej, si dhe faktit se fotot e këtij personi janë gjetur në telefonin e të arrestuarit Xhafer Deliu, pa motiv dhe pa asnjë njohje midis të arrestuarit dhe Abedin Mama.
Fakti se Arben Spahiu është kunati i Erion Alibej, në këndvështrimin e prokurorisë krijohet dyshimi i arsyeshëm se fotot në telefonin e Xhafer Deliu, mund të gjenden me qëllim sigurimin e kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasjen e “Dine Çamit”.
Në lidhje me marrëdhënien e tij me Arben Spahiu, Xhafer Deliu, ka deklaruar se Arbenin e ka kushëri, por përveç kësaj ai është rritur në lagje me vëllain e tij, Arjan Spahiun, si dhe shtetasin Everest (alias Ibrahim) Caka, i vrarë në Elbasan.
I pyetur në lidhje me praninë e fotografive të Abedin Mama në telefonin e tij, Xhaferr Deliu ka deklaruar se fotot e Abedin Mama, i kishte gjetur nga rrjetet sociale dhe po interesohej ta gjente vendndodhjen e tij.
Pasi këtë gjë ia kishte kërkuar Arben Spahiu, për të informuar policinë për vendodhjen dhe kapjen e “Dine Çamit”, me qëllim që ai të tregonte të vërtetën për vrasjen e familjarëve të Arben Spahiut dhe Erjon Alibej.
Ndër të tjera në telefonin e Xhafer Deliut, janë gjetur edhe disa foto të Elton Kilës, i cili edhe ky ka qenë objekt porosie për vrasjen e tij referuar të dhënave policore të ndodhura në dosje.
I pyetur për praninë e fotografive të Elton Kilës në telefonin e tij Xhafer Deliu, ka pohuar se me Elton Kilën, ka lidhje shoqërore dhe fotografitë i mban në telefon për shkak të shoqërisë që kanë me njëri-tjetrin.
Rreth këtij fakti është thirur dhe pyetur në polici, Elton Kila,i cili ka pohuar se me Xhafer Deliun është njohur në vitin 2019 në burg dhe që nga viti 2020, nuk ka asnjë kontakt me të pasi Xhaferi i kishte kërkuar t’i blinte një makinë Eltonit.
Por duke qënë se Xhaferi nuk ka qenë korrekt, Elton Kila, ka shkëputur çdo kontakt me të dhe sa herë që e shikonte është përpjekur ta shmangë.
Në lidhje me foton e tij të gjetur në telefonin e Xhafer Deliut, Elton Kila, ka deklaruar se foto është e dy javëve më parë nga momenti deklarimit në polici, dhe duhet të jetë marrë nga rrjetet sociale të shokut të tij Nandi S, i cili e kishte postuar.
Por sipas prokurorisë së Elbasanit, fakti që vetë Xhafer Deliu ka pranuar se fotot e Abedin Mama, i është kërkuar nga Arben Spahiu me qëllim gjetja e vendndodhjes se tij, si dhe hasmërisë që ekziston në Elbasan ku janë të përfshirë emrat e personave të përmendur në këto të dhëna, krijohet dyshimi i arsyeshëm se këto foto në telefonin e Xhafer Deliut, mund të gjenden me qëllim “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve me qëllim vrasjen e tyre” për hasmëri ose motive të tjera./ Elton Qyno