Protesta e pedagogëve ka vijuar dhe këtë të hënë në rang kombëtar. Ata kërkojnë edhe njëherë tjetër të drejtat e tyre, duke lajmëruar se të mërkurën do të futen në grevë urie.
Ndërkohë kujtojmë se pedagogët kanë njoftuar bojkot të mësimit pa afat, deri në plotësimin e kërkesave, ku kryesorja është ajo për rritjen e pagave dhe shtimi i buxhetit për kërkim shkencor.
Sakaq, ftesa për t’iu bashkuar protestës u është bërë edhe studentëve.
“Natyra komplekse e cilësisë shkakton një lloj konfuzioni. Procesi i mësimit duhet konceptuar si një sistem. Shumdimesionaliteti i arsimit është thirrja që na bashkon, me ndryshime të caktuara. Ne duam mbështetje me rekomandime konkrete. Ne kuptojmë se politika është e shkëputur nga realiteti. Sa i përket shtesës prej 8% që sipas Ministres së Arsimit do të lëvrohet nga fondet e universiteteve, pedagogët mendojnë se tarifat e studentëve duhet t’u kthehen atyre përmes shërbimeve dhe jo të shkojnë për paga.”, tha njëra nga pedagogët.
Nefton Kodhelaj theksoi se të gjithë pedagogët po bëjnë punën e duhur, ndaj është e nevojshme që ti plotësohen kërkesat.
“Për rritjen e rrogave, do kisha vetëm një thirrje. Është e domosdoshme që njeriu të paguhet për punën e tij. Po aq e rëndësishme është edhe kërkimi shkencor. Ne kemi fitruar 49 projekte të fituara”, tha Kodhelaj.
Ndërsa kreu i sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi nuk përjashtoi edhe një grevë urie.
“Qeveria nuk i dëgjon kërkesat tona. Qeveria ofron zgjidhje kozmentike. Ka dhe presione që të shuhet kauza jonë e drejtë, është propozuar që protestë të kalojë në trajtën e grevës së urisë. I leme qeverisë dy ditë kohë deri të mërkurën përndryshe, të mërkurën, ora 16:00 të gjithë jemi në shesh. Ftohen të gjithë ata që duan të jenë pjesë e saj”, tha kreu i sindikatës së universiteteve.