Kanë mbetur më pak se 10 orë deri në hyrjen në fuqi të masave të reja të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave ilegale në ato RKS.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme thanë se “javën e fundit është rritur interesimi i qytetarëve për të konvertuar targat”, derisa treguan numrin e veturave që janë konvertuar.
Në pesë ditët e fundit janë regjistruar 11 vetura, ndërsa numri total është 23.
Zëdhënësja e kësaj ministrie, Nora Fetoshi, ka thënë se javën e fundit është rritur interesimi i qytetarëve për të konvertuar targat.
“Ka vazhduar regjistrimi i veturave me targa RKS dhe në pesë ditët e fundit 11 vetura janë regjistruar. Gjithsej janë 23 vetura të regjistruara në regjione të ndryshme, të cilat kanë konvertuar targat ilegale në targa të Republikës së Kosovës. Javën e fundit është rritur interesimi i qytetarëve për të konvertuar targat duke i’u përgjigjur pozitivisht fushatës informuese”, tha Fetoshi.
Për t’u regjistruar veturat, në dispozicion, sipas MPB-së, janë 34 qendra komunale të Regjistrimit të Automjeteve. Kjo ministri ka ftuar pronarët e veturave me targa “PR”, “KM”, “PZ”, “GL”, “UR”, “PE”, “DA” dhe “ĐA” që të vazhdojnë t’i regjistrojnë veturat e tyre./Gazeta Express