Rritja e normave të interesit në tregun financiar po fillon të reflektohet edhe në çmimin e kredive të reja në lekë.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në muajin shtator, norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë arriti në 7.07%, niveli më i lartë që prej shkurtit të vitit 2018.
Aktualisht, norma mesatare e interesit të kredive të reja në lekë është rritur me 1.18 pikë përqindje krahasuar me një vit më parë dhe me 1.6 pikë përqindje krahasuar me muajin mars të këtij viti, kur Banka e Shqipërisë nisi normalizimin monetar. Rritja ka nisur të marrë tipare të qëndrueshme sidomos pas muajit korrik dhe interesi mesatar i kredive të reja është në rritje tashmë për të tretin muaj radhazi.
Ndërkohë, për huamarrësit ekzistues që kanë kredi me interesa të ndryshueshme, rritja e normave përcillet automatikisht, nëpërmjet treguesit benchmark, që në rastin e lekut është zakonisht yield-i mesatar i bonove të thesarit.
Nga muaji mars e në vazhdim, yield-et janë rritur me ritme të shpejta. Instrumenti më i përdorur benchmark, bonot 12-mujore, në muajin tetor u emetuan me një yield-mesatar të ponderuar prej 5.26%, në rritje me 3.56 pikë përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e yield-eve i transmetohet automatikisht huamarrësve, në rivlerësimin e normës së interesit të kredisë, që kryhet të paktën njëherë në vit. Por, tashmë, sektori bankar duket se po e reflekton rritjen e normës bazë të interesit dhe të yield-eve edhe në normat e interesit të kredive të reja.
Pas një periudhe të gjatë, kur normat e interesit në tregun financiar qëndruan pranë niveleve më të ulëta historike, kriza e çmimeve dhe rritja e shpejtë e inflacionit kanë bërë që bankat qendrore të fillojnë një normalizim të shpejtë monetar.