Ushtarët e forcave speciale afgane që luftuan krah trupave amerikane gjatë dy dekadave konflikti në Afganistan, po rekrutohen tashmë nga ushtria ruse për të luftuar në Ukrainë.
Pas tërheqjes kaotike të SHBA-ve nga Afganistani vitin e kaluar, ish-komandot u zhvendosën në Iran. Lajmi u bë i ditur nga tre ish-gjeneralë afganë për agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’.
Sipas gjeneralëve afganë, rusët po kërkojnë që të bëjnë pjesë të një legjioni të huaj me mijëra ish-komando elitare afgane. Ata po u ofrojnë atyre pagesa të rregullta mujore, prej 1500 dollarësh, si dhe po u premtojnë strehim të sigurt, për veten dhe familjet e tyre.
“Por, ata nuk duan të shkojnë të luftojnë, por nuk kanë zgjidhje tjetër“, tha një prej gjeneralëve, Abdul Raof Arghandiwal, duke shtuar se rreth 12 komando në Iran, me të cilët ai ka shkëmbyer mesazhe, i druhen dëbimit. “Ata më thonë: Na jep një zgjidhje, çfarë duhet të bëjmë? Nëse kthehemi në Afganistan, talebanët do të na vrasin“.
Gjenerali Arghandiwal tha se rekrutimi udhëhiqet nga forca mercenare ruse ‘Wagner Group’. Një tjetër gjeneral, Hibatullah Alizai, i cili udhëhiqte ushtrinë afgane përpara se talebanët të merrnin pushtetin, tha:
‘Moska po ndihmohet në këto përpjekje edhe nga një ish-komandant i forcave speciale afgane, i cili jeton në Rusi dhe flet rusisht. Kjo lëvizje e Moskës vjen pas disa muaj paralajmërimesh nga ushtarët amerikanë që luftuan krah forcave speciale afgane.’
Talebanët kishin për qëllim t’i vrisnin ata dhe se këta të fundit (komandot afgane), për të shmangur vdekjen apo nisur nga zemërimi me ish-aleatin e tyre (SHBA-të), mund t’u bashkoheshin armiqve të Uashingtonit.
Një raport i muajit gusht i ligjvënësve republikanë paralajmëronte në mënyrë të qartë mbi rrezikun që komandot afgane, të trajnuar nga forcat e Marinës amerikane dhe Beretat e Gjelbërta të ushtrisë, mund të shkonin deri aty sa t’i jepnin informacione në lidhje me taktikat e SHBA-ve, grupit të Shtetit Islamik, Iranit ose Rusisë, ose të luftonin për ta.
“Ne nuk i nxorëm këta persona (nga vendi) ashtu siç premtuam. Dhe tani ato gabime do na përndjekin“, tha Michael Mulroy. “Nuk do doja t’i shihja në asnjë fushëbeteje, dhe sigurisht jo duke luftuar kundër ukrainasve”.
Megjithatë zoti Mulroy u shpreh skeptik nëse rusët do t’ia dilnin t’i bindin shumë prej komandove afganë që t’u bashkoheshin. Sipas tij, pjesa më e madhe po punonin për një demokraci funksionale në vendin e tyre. Dhe jo të rekrutoheshin si vrasës me pagesë.
Departamenti amerikan i Mbrojtjes gjithashtu nuk iu përgjigj një kërkese për koment. Por një zyrtar i lartë sugjeroi se rekrutimi, nuk ishte diçka befasuese. Duke pasur parasysh sipas tij se grupi ‘Wagner’ është përpjekur të rekrutojë ushtarë në disa vende të tjera.
Rreth 20 deri 30 mijë forca speciale afgane luftuan me amerikanët gjatë dy dekadave luftë. Por, por vetëm disa qindra oficerë të lartë u morën me vete kur ushtria amerikane u tërhoq nga Afganistani. Për shkak se shumë nga komandot afganë nuk punonin drejtpërdrejt për ushtrinë amerikane, ata nuk gëzonin të drejtën për t’u pajisur me viza speciale amerikane.
“Ishin ata që luftuan deri në minutën e fundit. Dhe ata kurrë, kurrë, kurrë nuk folën me talebanët. Ata kurrë nuk negociuan me ta“, tha ish-shefi i ushtrisë afgane Alizai. “Lënia e tyre pas është gabimi më i madh”./VOA