Të gjithë institucionet përfshirë ministritë po prezantojnë projektbuxhetin për vitin tjetër. Opozita e ka kthyer në refren kryesor shpopullimin duke akuzuar qeverinë dhe kjo çështje ka sjellë debat në komisionin e Çështjeve Sociale.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi ka listuar shifrat sipas saj për buxhetimin për rininë, pasi një ditë më parë, kryetarja e Komisionit, Grida Duma, i ka kërkuar me ngulm që t’i prezantojë këto të dhëna para deputetëve.
Por, listimi nga Muzhaqi i 15 fushave ku ka investime për fëmijët dhe të rinjtë, sipas saj në vlerën totale prej 52 miliardë lekë nga buxheti i shtetit, nuk e ka shuar debatin, pasi Duma e cila i është kthyer ashpër duke i thënë se “nuk të leverdis të flasësh për fushën që mbulon ministria e Arsimit”.
“Më kërkuat të ju listoj shifrat buxhetore për rininë dhe programet tona e tani nuk po më lini t’i listoj”, iu përgjigj Muzhaqi.
Ndër të tjera, kryetarja e Komisionit ka pyetur ministren e Rinisë për masat që janë marrë për të parandaluar ikjen e të rinjve nga Shqipëria.
“Masat që kemi parashikuar fillojnë nga forcimi i mekanizmave në nivel qendror dhe vendor për të garantuar pjesëmarrjen dhe konsultimin e të rinjve dhe të rejave.
Rishikimi i ligjit “Për vullnetarizmin” me qëllim fuqizimin e mundësive për vullnetarizmin e të rejave/rinjve. Fuqizimin e roleve zbatuese, koordinuese, monitoruese të AKR-së”, ka qenë përgjigja e Muzhaqit.
Debati i Dumës kundrejt Muzhaqit ka vijuar dhe në fund kryetarja e komisionit vendosi mbylljen e seancës së komisionit.