Në komisionet parlamentare vazhdon diskutimi për buxhetin dhe dëgjesa për cdo institucion për kërkesat dhe nevojat. Institucioni i Presidencës që drejtohet nga Bajram Begaj kërkoi rritje të pagave për punonjësit, shtim të personelit, por edhe rikonstruksion të godinës.
“Kemi nevojë për rikonstruksionin e godinës. Rikonstruksioni i fundit është bërë para 14 vitesh, kati i parë është i mbushur me lagështi. Kemi nevojë për lyerjen e godinës brenda dhe jashtë saj si dhe kthimi i godinës në parametrat e sigurisë të klasit A. Të gjitha këto kushtojnë rreth 400 milionë lekë.
Pagat e institucionit nuk janë aty ku duhen në hierarkinë e piramidës që pagave të institucioneve. Kemi vlerësuar një shtesë në strukturë për 10 persona. Këto ndryshime kërkojnë një shtesë prej 36 milionë lekë. Si dhe duam një rritje të shpenzimeve për 50 milionë lekë për veprimtarinë e Presidentit.
Kosto totale e të gjithave do të jetë 490 milionë lekë. Shpresojmë që ky komision të na mbështesë në kërkesat tona” tha Florian Kali, përfaqësues i institucionit të Presidencës. Jo të gjitha kërkesat u aprovuan nga ministria e Financave. Demokratët kishin një tjetër shqetësim që lidhej me shkarkimet masive që bëri Bajram Begaj sapo mori detyrën.
“Do të doja një sqarim për disa njoftime që kanë dalë në media për disa shkarkime masive në Presidencë” tha Enkelejd Alibeaj. Florian Kali tha se askush nuk ka bërë padi në gjykatë. “Ne kemi bërë një ristrukturim dhe kemi sjellë strukturën e Presidencës siç duhet pasi ishte në një piramidë jo të drejtë.
Në vlerësimet e dosjeve personale të gjithë personat që nuk plotësonin kriteret sipas ligjit, janë bërë largimet për mospërputhje kriteresh specifike. Numrin total nuk ua them saktësisht. Llogari për 2023 nuk shohim pasi nuk ka pasur asnjë procedim në gjykatën administrative. Nuk shohim ndonjë impakt gjatë viteve të ardhshme” tha ai.