Prokuroria e Posaçme SPAK, ka nisur një hetim për trafikimin e sendeve me vlerë që dërgoheshin përmes çantave nga Franca në drejtim të Shqipërisë.
Hetimi që ka marrë spunto nga disa informacione të sjella nga autoritet e drejtësisë së Parisit, ka vendosur në verifikim dhe shoferin personal të Ardi Veliut, i cili mban postin e Drejtorit AMP-së.
Sokol Idrizaj, së bashku me persona të tjerë në Shqipëri, janë duke u hetuar nga SPAK, pas dyshimeve të forta se janë implikuar në trafikimin e sendeve me vlerë si flori, ora dhe bizhuteri të ndryshme që mendohet se vinin me çanta nga territori Frances.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK pak kohë më parë ka ushtruar një kontroll në banesën e Sokol Idrizaj, me shpresën e gjetjes së sendeve me vlerë apo çdo provë që mund ta implikonte.
Por nga ky kontroll mësohet se oficerët e BKH-së nuk kanë mundur të gjejnë sende kompromentuese.
Gazetari Elton Qyno ka shkruar se për këtë çështje, Ardi Veliu ka pezulluar nga funksioni, shoferin e tij personal, deri në një moment të dytë kur situata penale e tij të sqarohet plotësisht nga SPAK.
Sipas të dhënave hetimore, emri i Sokol Idrizaj shoferit personal të Ardi Veliut, ka dalë si pritës i disa çantave të dërguara nga Franca në drejtim të Shqipërisë.
Idrizaj është marrë në pyetje dhe ka treguar para oficerëve të BKH-së, rrethanat e pritjes së këtyre dërgesave.
Nga Franca, këto çanta mësohet se janë dërguar nga vajza e Idrizaj që jeton dhe studion atje
Tashmë SPAK së bashku me homologët e tij në Francë, janë duke kryer verifikime për të mësuar dhe mbledhur fakte rreth këtij trafiku të sendeve me vlerë, që dyshohet se janë grabitur nga shqiptarë të ndryshëm në Francë dhe transportohen në rrugë të ndryshme në Shqipëri.