Ministria e Mbrojtjes së Serbisë tha më 2 nëntor se ushtria serbe ka rrëzuar një dron komercial në zonën e gjerë të Kopaonikut.
Qendra e skijimit e Kopaonikut gjendet në afërsi të kufirit me Kosovën.
Pasdite, njësitë e ushtrisë serbe pas detektimit dhe monitorimit, kanë neutralizuar një dron komercial që po lëvizte nga Kopaoniku drejt Rashkës, u tha në njoftim.
Siç u tha në deklaratën e ministrisë serbe, droni u rrëzua duke përdorur masat e pengesave elektronike në afërsi të objekteve ushtarake të garnizonit të Rashkës.
Në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë nuk u dhanë më shumë detaje për dronin dhe as në pronësi të kujt ishte.
“Ushtria veproi në përputhje me urdhrin e presidentit të republikës, njëherësh komandantit suprem të forcave të armatosura serbe, Aleksandar Vuçiq, dhe po ndërmerr masa për të detektuar, gjurmuar dhe neutralizuar dronët në afërsi të ndërtesave ushtarake”, u tha në njoftim.
Ministria serbe tha po ashtu se ushtria do të vazhdojë të veprojë në përputhje me urdhrin e Vuçiqit, dhe të rrëzojë të gjithë dronët që gjen në zonën e ndalim-fluturimit dhe në afërsi të ndërtesave ushtarake.
Më herët gjatë 2 nëntorit, ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, tha se Vuçiq ka dhënë urdhrin për rritjen e gatishmërisë luftarake, pasi disa dronë “kanë hyrë nga Kosova në territorin e Serbisë qendrore”./REL