Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale (ICBM) të enjten e 3 nëntorit, por ajo dështoi në mes të fluturimit.
Kështu deklaroi ushtria e Koresë së Jugut. Kjo vjen një ditë pasi të dyja Koretë lëshuan raketa në një përshkallëzim të tensioneve.

Nisjet e shumta të Koresë së Veriut vijnë pasi SHBA-të dhe Koreja e Jugut po organizojnë stërvitjet e tyre më të mëdha ajrore të përbashkëta ndonjëherë, të cilat Pheniani i ka kritikuar ashpër si “agresive dhe provokuese”.
Koreja e Veriut lëshoi të paktën 23 raketa në det vetëm këtë të mërkurë të 2 nëntorit.
Madje dje shënua edhe hera e parë që një raketë balistike ulet pranë ujërave të Jugut që nga ndarja e gadishullit në vitin 1945.
Raketa ra jashtë ujërave territoriale të Koresë së Jugut, por në jug të vijës kufitare veriore (NLL), një kufi detar i diskutueshëm ndër-korean.
Po ashtu sot, Koreja e Jugut vendosi t’i përgjigjej provokimeve duke qëlluar tre raketa ajër-tokë në veri.
Një zyrtar tha se armët e përdorura përfshinin një AGM-84H/K SLAM-ER, e cila është një armë sulmi precize e prodhuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që mund të fluturojë deri në 270 kilometra.
Nisjet e Jugut erdhën pasi zyra e presidentit u zotua për një “përgjigje të shpejtë dhe të vendosur”.
SHBA-të dënuan lëshimet e raketave të Veriut dhe “vendimin e saj të pamatur për të gjuajtur një raketë nën kufirin de facto me Republikën e Koresë”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të mërkurën.
Linja e demarkacionit shënon pikën e përafërt në mes të rrugës në det midis Koresë së Veriut dhe Koresë së Jugut, por Veriu nuk e ka pranuar kurrë kufirin.