Ministrja e Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se pas datës 7 nëntor do të vendoset nëse do të futet në fuqi fasha mbi 800 kilovat për konsumin e energjisë elektrike. Ajo u shpreh në komisionin e veprimtarisë prodhuese se nesër priten reshje shiu.
“Ne po mundohemi të mos e vendosim. Nesër ka një event shiu në orën 1 në zonën e interesit, flasim për kaskadën Fierzën dhe vazhdon edhe në datë 5 me reshje mbi mesatare.
Duke qenë se faturimi nis pas datës 7, e kemi lënë të hapur për ta parë nëse do të kemi prurje dhe për ne do të jetë fat për të mos e vendosur dhe nuk duam ta vendosim fashën. Konsumi ka rënë me 6.2% për muajin tetor. Kjo është e vetmja gjë që na shpëton” tha Balluku.
“Është data 3 nëntor dhe njerëzit shkojnë bëjnë plazh në Vlorë. Nuk është punë e qeverisë” iu përgjigj më tej akuzave të opozitës.
Nuk munguan debatet e forta me opozitën. Jo vetëm me Helidon Bushatin për shifrat, por përplasje pati edhe me Xhelal Mziun për qarkun e Dibrës, ku të dy janë drejtues politikë. “Shko fol në Dibër. Por ti nuk futesh dot në Maqellarë.
Është e tmerrshme. Të kesh lindur në Dibër dhe të mbyllesh në kafe se nuk ta jep njeri dorën. Drejtohu partisë të ndërrojnë qark. Ti je i vetmi i lindur në një qark dhe nuk kalon dot. Unë për ty jetoj 200 vite” i tha ajo.