Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku dëshmoi sot për rreth dy orë në SPAK për dosjen e inceneratorëve. Në dalje, ajo u shpreh se dha dëshminë në cilësinë e kallëzueses, pasi ka depozituar 12 padi.
Detaje nga dëshmia nuk dha, por theksoi se hetimi kishte ecur dhe shumë shpejt do të ketë të reja.
“Në tetor të 2020 solla tre kallëzime për inceneratorët, më pas në drejtimin e komisionit hetimor edhe nëntë të tjerë. Janë 50 të akuzuar dhe 120 faqe raport dhe 150 fakte që ia vendosëm në dispozicion SPAK-ut.
Sot informova për gjetjet e komisionit dhe sqarime për inceneratorët e Fierit dhe Tiranës. Kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me SPAK, duke kërkuar informacion ku ndodhen hetimet dhe në lidhje me statusin e personave që kemi kallëzuar.
Sot kam qenë në cilësinë e kallëzuesit. Unë kam një listë dëshirash kush duhet të vijë te SPAK-u. Nuk i mora unë në pyetje, por besoj se shumë shpejt do të kemi të reja.
Mund të konfirmoj se hetimi i aferës 430 milionë euro, ka qenë prioritet i punës sime, por më vjen mirë kur shoh që hetimi ka ecur” deklaroi Tabaku.