33.5 kg, kjo është ngarkesa e tretë me kokainë që zbarkon në Shqipëri përmes kontejnerëve të “Banaking”. Porosia ishte në emër të Trifon Murataj, pronarit të kompanisë ZICO SHA, por në dy ngarkesat e para, ai ka dalë “i pastër”.
Dhe këtë herë në pranga ka rënë administratori i firmës Petrit Demishaj, i cili kishte shkuar në port për të pritur ngarkesën. Ende e paqartë ngelet nëse ai po priste kokainën apo vetëm bananet.
Ajo që hedh më tej hije dyshimi është dhe fakti që skaneri i portit të Durrësit nuk arriti të zbulonte kokainën e fshehur, por ajo u kap nga qentë antidrogë. Për këtë policia dhe prokuroria i ka lënë përgjegjësi dy punëtorëve të skanerit Artur Sevdaraj dhe Alban Neziraj.
Por a ishte skaneri ai që kishte probleme apo Murataj korruptoi dy punonjësit?
Pronari i ZICO SHA, më herët është justifikuar se nuk është ai apo firma e tij përgjegjëse për ngarkesat e kontejnerëve, pasi ata i takojnë kompanisë së madhe në Ekuador dhe se ai thjesht kërkon sasinë e bananeve. Por më herët, nga kamioni i “BanaKing” u vodh një ngarkesë brenda së cilës dyshohet se kishte kokainë. Mbase kontejneri nuk është i Murataj, por kamioni po, por as për këtë rast prokuroria nuk lëshoi një urdhër shoqërimi.
Në daljen e tij të fundit në media, Murataj është shprehur i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë dhe se e ndodhej në SHBA, por në momentin e parë që do të thirrej ai do të paraqitej para autoriteteve.