Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë në Ukrainë ndihmë të re ushtarake në vlerë prej 400 milionë dollarë dhe do të krijojnë një seli për ndihmë të sigurisë në Gjermani, që do të mbikëqyrë transferimin e të gjitha armëve dhe trajnimeve ushtarake për Ukrainën, njoftoi Pentagoni.
Në këtë ndihmë do të përfshihen edhe ndihma shtesë për mbrojtje ajrore, që Ukraina të mund të mbrojë veten nga sulmet ruse me raketa dhe dronë, që së fundmi kanë shkatërruar rëndë infrastrukturën ujore dhe energjetike ukrainase.
“Ne e kuptojmë nevojën akute për mbrojtje ajrore në këtë moment kritik kur Rusia dhe forcat ruse po lëshojnë raketa dhe po përdorin dronët iranianë për të sulmuar infrastrukturën civile të këtij shteti”, tha këshilltari i sigurisë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, gjatë një konference për media në Kiev më 4 nëntor pas takimit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Zelensky akuzon Rusinë për “terrorizëm energjetik”
Sullivan është një prej zyrtarëve më të lartë amerikanë që ka vizituar Kievin, dhe vizita e tij në Ukrainë nuk ishte paralajmëruar për shkaqe sigurie.
Në pakon e ndihmës së re përfshihen edhe kontratat për 1.100 dronë Phoenix Ghost, 45 tanke dhe 40 anije./REL