Silvana Hamza, nëna e këngëtarit të tallavasë i njohur si Reni i Elbasanit, ka bërë një apel për Indrit Shaqjan, një nga personat e dyshuar që mund të ketë vrarë. Ajo i kërkoi që të flasë dhe të tregojë të vërtetën mbi fatin e djalit të saj.
“Indrit Shaqja të tregojë të vërtetën, përse e mori, sa u pagua?! Të tregojë të vërtetën, përse u vra? Edhe Denis Xhijës, i them ke vrarë një djalë 21-vjeçar, e ke marrë në qafë kot” tha ajo.
Një thirrje e ka edhe për ish-të dashurën e djalit. “Redona thoshte e di unë ku është, do të telefonojë në shtator, nuk më lënë këta, nuk harroj”.
Kush është Reni im? Nëna e këngëtarit lot, lutje dhe mallkime: E nxori në pritë e dashura
Mohon që djali i saj të ketë qenë informator dhe dëshmitar në një vrasje. “Luante lloto, por informator nuk ka qenë kurrë”.
Në momentin që Reni u zhduk la nusen shtatzënë. “E la gruan nëntë muajshe. Solli në jetë vajzën. Nga njëra anë u gëzova, nga ana tjetër u hidhërova se më ikën nga shtëpia” tha nëna më tej te emisioni “Pa Gjurmë”.
Thotë se nuk do të dorëzohet deri në vdekje për të gjetur të vërtetën për fatin e djalit.
“Vetëm kur të më pushojë zemra mua atëherë do të resht së kërkuari. Nëna e ndjen gjithmonë, zemra e mamait, ku është Renato im?” ishin fjalët e nënës së këngëtarit me lot në sy.
Më datë 25 prill 2015, pak muaj pas zhdukjes së këngëtarit nga Elbasani Renato Hamza, në fshatin Babje të Librazhdit, nga banorët e zonës u gjet një kufomë e skeletizuar, e cila i përket një personi ende të paidentifikuar.
Ndërkohë, veprimet e ndërmarra së fundmi nga autoritetet, zhvarroja e eshtrave, ka shpresa se mund të çojnë në zbardhjen e fatit të 21-vjeçarit Renato Hamza, pasi dyshohet se i përkasin atij.
Me zhvarrosjen e kryer të mërkurën e kaluar, zyrtarisht rihapen hetimet për ngjarjen në fjalë, teksa tetë vite nga zhdukja, askush nuk di për fatin e të riut.