Francesco Lo Voi, drejtues i Prokurorisë së Romës deklaroi sot në Tiranë kriminelët shqiptarë në Itali kanë forcuar bashkëpunimin me mafien italiane. Ai u shpreh se nga ky bashkëpunim mes mafieve nuk ka vetëm vrasje e trafik droge, por dhe dëme në ekonomi, treg e konkurrencën e lirë.
“Subjektet kriminale shqiptare në Itali veprojë me eksponentë të krimit të organizuar italian dhe vendeve të tjera. Mafiet e ndryshme dhe kriminaliteti i organizuar provokojnë dëme, që nuk janë vetëm ato të dukshme, vrasje, trafik droge, por shkaktojnë dëme edhe shoqërive, provokojnë dëme ekonomike, tregut, konkurrencës së lirë, konkurrencës mes biznesmenëve të ndershëm” deklaroi ai.
Në simpoziumin e organizuar sot në Tiranë në kuadër të 30 vjetorit të krijimit të Direzione Nacionale Antimafia ( DNA)dhe në funksion të bashkëpunimit në rritje ndërmjet Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) me Direzione Nacionale Antimafia e Antiterrorismo (DNA) ishin të ftuar edhe drejtues të prokurorive italiane.