Reparti Special elitë RENEA dhe Forca Speciale Ushtarake amerikane/“Green Berets” kanë zhvilluar një stërvitje të përbashkët në Tiranë. Qëllimi ka qenë trajnimi intensiv antiterrorizëm.
Efektivët e Repartit Special elitë RENEA kanë zhvilluar një trajnim 5-javor intensiv, të një shkalle të lartë profesionaliteti dhe ekspertize, së bashku me përfaqësues të Forcës Speciale Ushtarake amerikane/“Green Berets”.
Ky trajnim u zhvillua në ambientet e Repartit Special RENEA dhe në poligonin e distancave të largëta, në Bizë. Trajnimi “JCET 2022” angazhoi, përmes lëvizjeve, metodave, reagimeve dhe manovrave të shumta, Njësinë e Snajperave, grupet taktike dhe seksione të tjera të Repartit Special RENEA.
“Dorëzohu, duart lart”! Forcat speciale amerikane vijnë në Tiranë! (VIDEO)
Objektivi kryesor i këtij trajnimi ishte ofrimi i ekspertizës dhe i praktikave më të mira amerikane, për proceset e komandimit dhe kontrollit gjatë operacioneve policore komplekse antiterrorizëm.
“JCET 2022” u përqendrua konkretisht në rolin dhe detyrën e Repartit Special RENEA gjatë situatave të luftimit në ambiente të hapura dhe të mbyllura, survejimit, targetimit dhe ekzekutimit të objektivit, si dhe në finalizimin me sukses të operacioneve policore në mjedise rurale, me vështirësi të shtuar të terrenit.