Besimi i bizneseve dhe konsumatorëve në ekonominë shqiptare pësoi rënie për të këtërtin muaj radhazi në tetor. Sipas Bankës e Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) për shtatorin pësoi një rënie të mëtejshme me dy pikë në muajin tetor.
Në përgjithësi, të gjithë sektorët e ekonomisë shfaqën perceptime në rënie për aktivitetin e tyre, me përjashtim të treguesit të besimit të konsumatorëve, që regjistroi një rritje të lehtë.
Përkeqësimi i treguesve të besimit të biznesit duket i lidhur kryesisht me rritjen e çmimeve dhe efektet negative që kjo rritje po s jell në fuqinë blerëse.
Treguesi i besimit të industrisë u pakësua me 4.8 pikë përqindje krahasuar me muajin e kaluar, i ndikuar nga rënia e të gjithë treguesve për situatën aktuale, ku veçohen rënia e balancës për prodhimin aktual dhe ajo e kontratave porositëse.
Ndërkohë, pritjet e bizneseve për prodhimin dhe punësimin në të ardhmen janë në rritje dhe ato për çmimet e pritura janë në rënie.
Treguesi i besimit në ndërtim ra me 7.2 pikë përqindje në muajin tetor, duke regjistruar pakësim të treguesit për të dytin muaj radhazi. Ky zhvillim u ndikua nga përkeqësimi i balancave për aktivitetin ndërtues dhe për kontratat porositëse. Rënie regjistruan edhe pritjet për punësimin, ndërkohë ato për çmimet në të ardhmen shënuan rritje.
Treguesi i besimit në shërbime shënoi rënie të lehtë me 1.1 pikë përqindje në muajin tetor, ndikuar nga performanca më e dobët e treguesit të ecurisë së biznesit. Bizneset në aktivitetin e shërbimeve vlerësojnë se ka rritje të punësimit aktual, ndërkohë që pritjet për të ardhmen janë në rënie. Edhe pritjet për ecurinë e çmimeve të shërbimeve shënuan rritje.
Treguesi i besimit në tregti ndoqi prirjen rënëse të evidentuar gjatë pjesës më të madhe të muajve paraardhës, duke rënë me 2.6 pikë përqindje në muajin tetor. Treguesi u ndikua kryesisht nga vlerësimet më të dobëta për ecurinë aktuale të biznesit. Ndërkohë, pritjet për çmimet dhe punësimin në muajt e ardhshëm janë në rritje.
Treguesi i besimit konsumator rezultoi lehtësisht i përmirësuar me 0.6 pikë përqindje në muajin tetor, por duke mbetur larg mesatares afatgjatë. Treguesi pasqyroi vlerësimin më pozitiv të konsumatorëve lidhur me blerjet në shuma të mëdha, si në periudhën aktuale, ashtu edhe në të ardhmen.
Konsumatorët vlerësojnë me rritje ecurinë aktuale të çmimeve, situatë e cila pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen./Montior