Grupi Punues i Këshillit Evropian të BE-së mblidhet të mërkurën në Bruksel për të diskutuar çështjen e heqjes së regjimit të vizave për Kosovën.
Pas një muaji nga mbledhja e fundit, Grupi Punues për vizat i Këshillit Evropian rikthehet në një mbledhje dy-ditore që mbahet më 8 dhe 9 nëntor.
Çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën ndodhet në pikën tre të rendit të ditës së Grupit Punues.
Ndryshe, në prag të diskutimit të dytë të grupit punues për vizat në Këshillin e BE-së, Presidenca çeke ka dërguar një “dokument ndërinstitucional”, në të cilin tashmë është përfshirë edhe kërkesa e Francës e paraqitur në takimin e parë, më 13 tetor.
Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje në këtë dokument, i cili është bazë për diskutimet që do të zhvillohen më 9 apo 10 nëntor, në takimin e radhës të grupit punues për vizat të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Propozimi i ndryshuar i Presidencës çeke të Këshillit të BE-së përmban kushtëzimin e hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave me “nisjen efektive të sistemit ETIAS”, si dhe kërkesat ndaj Kosovës që deri në hyrjen në fuqi, të përmbyllë marrëveshje për riatdhesim me ato vende të BE-së me të cilat nuk ka marrëveshje të tilla deri më tash, si dhe ta përshtatë edhe më tej politikën e saj të vizave me atë të Bashkimit Evropian./Express