Varfëria mund të bëhet më e mprehtë dhe me e thellë në vendet e Ballkanit Perëndimor si pasojë e rritjes në rekorde të çmimeve të ushqimeve dhe të energjisë, analizoi së fundmi Banka Botërore në raportin e rregullt ekonomik rajonal.
Nivelet e mirëqenies në Shqipëri do të bien me rreth 4 për qind nga inflacioni i lartë, ndërsa varfëria do të rritet me rreth 8.4 për qind.
Në vendet e varfra me të ardhura të ulëta kufiri i varfërisë është 2,15 dollarë amerikanë në ditë, në vendet me të ardhura mesatare të ulëta kufiri i varfërisë është 3,65 dollarë në ditë dhe në vendet me të ardhura mesatare të larta ku bën pjesë edhe Shqipëria ky kufi është 6,85, nga 5.5 dollarë që ishte vitin e kaluar.
Banka Botërore e indeksoi kufirin e varfërisë për vendet si Shqipëria me rreth 21 për qind brenda një viti, por të ardhurat e familjeve në decilin më të varfër në vend nuk janë rritur me të njëjtën ritëm gjatë vitit të fundit , duke bërë që edhe familje të tjera të përfshihen në nivelin varfërisë.
Përpara COVID-19 Rajoni kishte bërë përparim të dukshëm në uljen e varfërisë. Midis 2016 dhe 2019, shkalla e varfërisë vlerësohet të ketë rënë me rreth 10 pikë përqindje. Përmirësimet në mirëqenie ndaluan kur kriza e shkaktuar nga pandemia i çoi në recension të gjashtë ekonomitë e Ballkanit në vitin 2020. Numri i të varfërve u rrit me 155,000 persona të rinj.
Në vitin 2021 ekonomitë e Rajonit pësuan rritje të shpejtë ekonomike, e cila ndikoi në uljen e varfërisë mesatarisht me 3.5 pikë %, ku u vlerësua se rreth 547,000 kishin dalë nga varfëria.
Sipas skenarëve bazë, varfëria në Shqipëria parashikohet të bjerë më tej në vitin 2022 me 2 pikë përqindje./ monitor