Policia e Tiranës njoftoi sot se identifikoi dhe filloi hetimet për dy të miturit, B.B dhe D.P të cilët me anë të një adrese false në Instagram me emrin “Ana Shehu” mashtronin qytetarë të ndryshëm, me pretendimin se do t’u ofronin shërbime seksuale, kundrejt pagesës.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi”, për shtetasit e mitur D. B. dhe D. P., banues në Tiranë, pasi kanë krijuar adresa false, me foto vajzash, në rrjetin social Instagram, dhe nëpërmjet tyre kanë mashtruar shtetas të ndryshëm, me pretendimin se do t’u ofronin shërbime me natyrë seksuale, kundrejt pagesës. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale” thuhet në njoftim.
Gjatë komunikimit, të miturit i jepnin adresën e apartamentit ku do të takoheshin dhe i kërkonin 150 euro. Adoleshentët u kërkonin “viktimave” që kur të futeshin në pallat, në hyrje të linin një zarf me shumën prej 150 eurosh.
Ky ishte kushti që i vendosnin klientëve për t’u ngjitur më pas në apartamentin e “Anës” për të zhvilluar takimin. Shuma e parave merrej nga dy të miturit dhe më pas largoheshin. Klientët trokisnin në një banesë ku nuk i përgjigjej askush. Kjo ishte loja që shumë të “djegur” ranë brenda.