Kryeministri Rama ka folur mbrëmjen e sotme në dalje të selisë së PS, menjëherë pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë. Sipas Ramës, në këtë mbledhje u fol për projeksionin e vitit të ardhshëm dhe për zgjedhjet vendore.
‘Jemi mbledhur sepse nga njëra anë kemi mbyllur projekt buxhetin që është një moment shumë i rëndësishëm dhe kemi fazën e diskutimeve për nen. Dhe nga ana tjetër po realizojmë një dialog të gjerë më shqiptarët. Kemi bërë një diskutim për këtë dialog. Dhe se si këto të dyja bashkohen me njëra tjetrën për të konkluduar këtë periudhë të mbetur të vitit. Natyrisht dhe për projeksionin e vitit të ardhshëm dhe zgjedhjet vendore.’, deklaroi Rama.
Rama deklaroi më tej se ata janë duke realizuar një dialog të gjerë më qytetarët shqiptarë, ndërsa nuk nguroi të komentonte as deklaratat dhe akuzat e opozitës për Portin e Durrësit. Sipas Ramës, këto akuza s’janë gjë tjetër veçse një llum që çdo ditë ndot sytë dhe veshët e shqiptarëve.
Pyetje: Kompania me 60% të aksioneve që nuk dihen për Portin e Durrësit, kush i zotëron?
‘Unë nuk merrem me këto. Ne nuk kemi miratuar asgjë. Ne e kemi futur për diskutim me procedurë të përshpejtuar një marrëveshje strategjike e cila është e mirë për ty është e mirë për familjen tënde, është e mirë për të gjithë ju që jeni brez më i ri, edhe për prindërit tuaj.
Sepse sjell një investim prej më shumë se 2 mld dollarë, por transformon përgjithmonë imazhin dhe industrinë tonë kryesore që është turizmi dhe si mundet ndërkohë që të gjitha këto pyetje, çfarë do përfitojnë shqiptarët, Durrësi etj. dhe ju si njerëz të këtij vendi, nga kjo janë legjitime dhe i përkasin diskutimit që do të bëhet.
Është bërë negociata më e gjatë, më intensive dhe më e detajuar. Është një investim ku shteti shqiptar nuk ka dhënë por ka marrë 33% të aksioneve. Një investim i ngjashëm bëhet në vijën ujore të Beogradit, ka sjellë një impakt të jashtëzakonshëm të ekonomisë së Serbisë. Këto muhabete pazari, te gabi ju mund t’i bëni sa të doni.’, u shpreh Rama.