Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në prag të zgjedhjeve vendore të 14 Majit të vitit tjetër ka zhvilluar një takim me përfaqësues të OSBE/ODIHR-it.
Për ish-presidentin problemi qëndron te reforma zgjedhore, që sipas tij shumica socialiste po e zvarrit në mënyrë të qëllimshme.
“Prita në një takim me kërkesën e tyre Misionin e Vlerësimit të Nevojave nga OSBE/ODIHR-i, në lidhje me zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023.
Partia e Lirisë ka kërkuar me ngulm, që Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore të adresojë me prioritet rekomandimet e OSBE/ODIHR për të përmirësuar të gjitha problemet madhore që u panë në zgjedhjet e 25 Prillit, ndaj ne e dënojmë zvarritjen e qëllimshme që mazhoranca i bën punës së Komisionit dhe të trajtimit të problemeve periferike që nuk i japin përgjigje problemeve kritike të zgjedhjeve, duke goditur besimin e qytetarëve tek standardet e zgjedhjeve.
U ritheksova përfaqësuesve të ODIHR nevojën alarmante për të forcuar zbatimin e ligjit për një klimë zgjedhore të qetë, pa ndikimin e krimit dhe administratës publike në zgjedhje, në mënyrë që të kemi një pjesmarrje sa më të lartë dhe rezultat të gjithëpranuar.
Partia e Lirisë mbetet në çdo kohë e angazhuar për dialog politik dhe ekspertizë teknike të nivelit të lartë, në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohen standartet më të larta të zgjedhjeve dhe çdo shqiptar të votojë i lirë, siç i takon një populli europian” tha Meta.