Republikanët iu afruan edhe më shumë të mërkurën mundësisë për të marrë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por me një shumicë të ngushtë dhe larg pritshmërive për një vale të kuqe siç kishin parashikuar. Për kontrollin e kësaj dhome nevojiten të paktën 218 vende nga 435 që ka ajo gjithsej. Aktualisht republikanët kanë fituar 209, ndërsa demokratët 191. Numërimi vazhdon për 35 vende të tjera.
Fati i Senatit varet nga rezultati në disa gara të ngushta. Republikanët kanë fituar 49 nga 100 vende që ka Senati ndërsa demokratët 48. Aktualisht pritet rezultati për Nevadën dhe Arizonën ndërsa Xhorxhia ka kaluar në balotazh, i cili do të mbahet më 6 dhjetor. Secila parti mund të marrë kontrollin e Senatit nëse i fiton të dyja garat, atë në Nevada dhe në Arizona.
Por ekziston një mundësi e madhe, që për herë të dytë në dy vjet, kontrolli i Senatit të varet nga rezultati i balotazhit në Xhorxhia. Në garë është senatori demokrat në detyrë Raphael Warnock i cili sfidohet nga republikani Herschel Walker.
Sipas ligjit të këtij shteti një kandidat shpallet fitues kur merr të paktën 50 % të votave, gjë që nuk ndodhi në raundin e parë./VOA