Fredi Kokoneshi, kryebashkiaku i Divjakës ka qenë pjesë e dy sulmeve në pak muaj, por ai i një dite më parë i rrezikoi dhe jetën.
Kokoneshi u dhunua në korrik të këtij viti nga nipi i deputetit të Partisë Socialiste Paulin Sterkaj. Ishte vetë kokneshi që denoncoi sulmin në polici në 11 korrik. Aso kohe konflikt dyshohet të kenë qenë pagesat e taksave nga ana e Dritan Stërkajt, administrator i një resorti në Divjakë. Policia dhe vetë kryebashkiaku i mbajtën të fshehtë detajet e tjera të sulmit.
Por vetëm pak muaj më vonë, ditën e premte Kokoneshi u sulmua me thikë nga një ish-punonjësi i tij, për shkak se ky i fundit ishte pushuar nga puna dhe gruaja e tij ishte lëvizur nga pozicioni i punës.
Teksa Kokoneshi po dilte nga zyra Orges Xhelili, ish-punonjësi i IT-së e ka sulmuar 6 herë me thikë në shpinë. Aty ka ndërhyrë shoferi i kryebashkiakut, Gazmend Bullari, i cili po ashtu ka marrë 2 goditje me thikë.
Policia ka arrestuar autorin. Të dy të plagosur kanë marrë ndihmën e nevojshme në spitalin e Lushnjës, por siç ka bërë me dije mjeku kirug, kryebashkiakut njëra nga goditjet i ka prekur mushkërinë dhe për këtë arsye ai është dërguar me urgjencë drejt Traumës, së bashku me shoferin, pasi dhe ky i fundit është plagosur rëndë në bark.
Spitali i Traumës ka bërë me dije se gjendja e dy personave është e stabilizuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.