Kur Rusia mbajti stërvitje ushtarake në shkallë të gjerë në Bjellorusi, në muajin shkurt, të dy vendet i përshkruan ato të një natyre mbrojtëse, që synojnë të zmbrapsin agresionin e jashtëm, përkatësisht nga Ukraina dhe NATO.
Kur stërvitjet përfunduan, shumë nga 30.000 trupat ruse të stacionuara në Bjellorusi u pozicionuan në kufirin e Ukrainës, si pjesë e pushtimit të presidentit Vladimir Putin.
Imazhet e reja satelitore të marra nga Shërbimi i REL-it në Bjellorusi, tregojnë se mijëra trupa ruse mund të jenë kthyer në Bjellorusi, duke ngritur pyetje nëse një tjetër inkursion në Ukrainë nga veriu është i pashmangshëm – apo nëse Moska, me ndihmën e Minskut, thjesht po përpiqet të shpërqendrojnë Kievin.
Rusët “nuk kanë fuqi të mjaftueshme luftarake për të nisur një ofensivë [nga Bjellorusia], dhe nuk ka pika jetike ukrainase aty pranë”, tha Mark Cancian, një analist ushtarak në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me qendër në Uashington.
Forcat ruse kanë pësuar humbje të konsiderueshme të fuqisë punëtore dhe pajisjeve që nga shtatori, kur Ukraina nisi një kundërofensivë që vazhdon në Donbas në lindje dhe Herson në jug.