Katër persona, dy prej të cilëve babë e bir, kanë rënë në prangat e Policisë së Elbasanit, pasi akuzohen se kanë kultivuar kanabis në tokën e tyre.
Sipas bluve të Elbasanit, në kuadër të operacionit të koduar ‘Bodin’, në pranga ra gjithashtu edhe administratori i Njësisë Administrative Gracen, si dhe kryeplaku i fshatit Bodin, në Njësinë Administrative Gracen, Elbasan.
‘Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit:
Selim Beqari, 62 vjeç, banues në fshatin Bodin, dhe Zamir Beqari, 27 vjeç, banues në Sarandë (babë e bir).
Nga kontrolli i ushtruar në tokën e këtyre shtetasve, në fshatin Bodin, Gracen, Elbasan, janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 17 bimë të prera, të dyshuara narkotike kanabis.
Gjithashtu, gjatë kontrollit janë gjetur dhe janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, 7 thasë të mbushur me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë totale rreth 58 kilogramë.
Njëkohësisht, u arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, shtetasit:
Fadil Salla, 58 vjeç , banues në Elbasan, administratori i Njësisë Administrative Gracen, Elbasan;
Ramiz Beqari, 62 vjeç, kryeplaku i fshatit Bodin, Gracen, Elbasan.
Po në kuadër të këtij operacioni, u proceduan penalisht 2 shtetas, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, si dhe 1 shtetas tjetër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.’, njofton Policia e Elbasanit.