Prokurorja Edlira Bako e Prokurorisë së Elbasanit pati një seancë pa telashe të hënën më 14 nëntor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Gjatë seancës dëgjimore, ajo dha shpjegime vetëm për një balancë negative në shumën 231 mijë lekë të konstatuar në njërin prej viteve të deklarimit. Bako mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës dhe profesionalzimin, si dhe u konfirmua në detyrë rreth një orë pas përfundimit të seancës dëgjimore.
Procesi i vetingut për prokuroren Edlira Bako u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtare Alma Faskajn. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i panishëm Tonci Petkovic.
Edlira Bako e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1996 dhe ka punuar si prokurore deri në 2003-in, kur u emërua si inspektore pranë Ministrisë së Drejtësisë. Në vitin 2014, Bako është emëruar në krye të Drejtorisë së Inspektimit të Gjyqësorit dhe Prokurorisë dhe prej vitit 2019, e ushtron funksionin si prokurore e Prokurorisë së Rrethit Elbasan.
Komisioni nuk ka gjetur probleme në dy apartamente të deklaruara nga subjekti se janë përfituar nëpërmjet privatizimit nga familja e saj e origjinës dhe ajo e bashkëshortit ne qytetet e Memaliajt dhe Tepelenës, ku bashkëshortët Bako zotërojnë përkatësisht 1/5-at dhe ¼-at pjesë takuese.
Po ashtu, nuk janë gjetur probleme në llogaritë e pagave, si dhe në deklarimin e një gjendje cash 200 mijë në deklaratën “veting”./BIRN