Organizata joqeveritare Aktiv, me seli në Mitrovicë të Veriut, tha se drejtori ekzekutiv i saj, Miodrag Milliqeviq, është “abuzuar fizikisht dhe verbalisht” nga pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.
E kontaktuar nga REL-i, Zyra për Media në Policinë e Kosovës në Prishtinë nuk e konfirmoi rastin, por tha se “ende është duke mbledhur informacione për të verifikuar nëse diçka e tillë ka ndodhur në veri”.
Në një komunikatë dërguar mediave, Aktiv tha se incidenti ka ndodhur mëngjesin e 14 nëntorit, pranë vendkalimit kufitar me Serbinë – Jarinjë.
Milliqeviq, thuhet në komunikatë, “është ndaluar nga forcat speciale të Kosovës, është ndarë nga kolona dhe gjatë marrjes në pyetje, një pjesëtar i policisë speciale e ka goditur me grusht në bark”.
“Në të njëjtën kohë, ka pasur edhe ngacmime verbale, pasi policët i kanë bërtitur Milliqeviqit, i kanë kërkuar të heshtë dhe e kanë pyetur se përse nuk ka dokumente të Kosovës”, thuhet në komunikatën e organizatës Aktiv.
Sipas saj, Milliqeviq, gjatë gjithë procedurës – nga ndalimi deri në marrjen në pyetje – “ka bashkëpunuar plotësisht me policinë” dhe “nuk ka bërë asgjë për të nxitur reagimin e dhunshëm të policisë”.
Tensionet në veri të Kosovës janë rritur, prej se Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.