Një ekspozitë për rastin e 25-vjetorit të kalimit në amshim të Shenjtës Nënë Terezë u mbajt në Muzeun Historik Kombëtar në bashkëpunimin me dy arkivat shtetëror atë të Shkupit dhe të Tiranës.
Në këtë aktivitet qenë të pranishëm zëvendësdrejtori i Arkivit fqinj, Muzafer Bislimi, kreu i DPA-së, Ardit Bido, drejtuesi i MHK-së, Dorian Koçi, si edhe qytetarë të shumtë të interesuar.
“Paraqiten dëftesa nga koha kur Nënë Tereza ishte gjimnaziste në Shkup. Dokumenti më i rëndësishëm i përket vitit 1931, kur në regjistrimin e popullsisë, familja Bojaxhiu njihet për origjinën shqiptare, gjuhën amtare dhe për përkatësinë në fenë katolike.”- u shpreh Bislimi.
Në daljen e tij për mediat, Bido e cilësoi si përbashkuese figurën e Nënë Terëzës, duke sjellë në vëmendje edhe tri dorëshkrimet e rralla të saj, të bëra publike dy vjet më parë, pas evidentimit të kryer nga DPA-ja gjatë procesit të përpunimit të fondit të Ramiz Alisë.
“Nuk e mohoi, por e përmendte se ishte shqiptare. Pasazhi në shqip në dorëshkrimet e saj është domethenës. Aty shkruan për besëdhënie, që është karakteristikë e identitetit dhe e krenarisë tonë kombëtare. Po ashtu, shkruan për përçimin e dashurisë në botë, duke marrë kështu përmasa universale.”- tha Bido.
Ekspozita e përgatitur me materiale dokumentare dhe fotografike mbi veprimtarinë jetësore të humanistes shqiptare, shpalos të dhëna me rëndësi arkivore rreth familjes Bojaxhiu, fotografi, dokumente e materiale administrative të qytetit të Shkupit për Nënë Terezën. Mbajtja e kësaj ekspozite përkoi edhe me 6-vjetorin e kanonizimit të Nënë Terezës në kalendarin apostolik.