Mbrëmjen e djeshme Kuvendi ka miratuar ndryshimin në ligjin “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme, i ndryshuar”, i njohur ndryshe edhe si procesi i vettingut.
Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, gjatë fjalës në Kuvend shpjegoi mënyrën e re të kryerjes së këtij procesi. Ai tha se ndryshimi i ligjit vjen edhe si reflektim i rekomandimeve të GRECO.
“Organizmi monitorues antikorrupsion dhe padiskutim më seriozi brenda Këshillit të Europës, në raundin e fundit të vlerësimit të integritetit në institucionet ligjzbatuese në Shqipëri, rekomandoi rishikimin e ligjit, citoj “me qëllim kufizimin e subjekteve duke u përqëndruar tek nivelet menaxheriale, në strukturat me risk të lartë korrupsioni, në rastet e ngritjes në detyrë, të ecurisë në karrierë dhe rritjes në gradë”.
Rishikimi i ligjit, deklaroi Ministri i Brendshëm, është propozuar pas një analize të imtësishme dhe mjaft serioze të rezultateve të matshme dhe të impaktit të procesit të zhvilluar deri tani, proces që siç e dini tha ministri Çuçi, rezultoi të ishte i ngadaltë dhe i kushtueshëm për buxhetin publik.
Ministri Çuçi deklaroi se Agjencia e Mbikëqyrjes Policore do të jetë struktura përgjegjëse për vlerësimin në radhët e Policisë, Gardës dhe vetë Agjencisë, ndërsa periudha e vlerësimit do të fillojë nga viti 2008 në vijim.