Sipas njoftimit të policisë të arrestuarit janë Ronaldo Malaj 24 vjeç, Robinson Malaj 28 vjeç dhe Orjenc Sokoli, 21 vjeç, të tre banues në Bajzë.
Gjithashtu në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan tre çanta me drogë.
Operacioni njoftohet se është zhvilluar nga shërbimet operacionale të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Grabom dhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Puna ka nisur bazuar në inteligjencën informative se disa shtetas po transportonin me automjet, një sasi lënde narkotike, në drejtim të PKK Grabom, me qëllim trafikimin e saj, nëpërmjet kufirit jeshil, në drejtim të Malit të Zi.
Në kuadër të këtij operacioni, u lokalizua automjeti i dyshuar ndërsa drejtuesi i automjetit ka tentuar të largohet dhe ka hedhur çantat me lëndë narkotike, në rrugë. Por, siç bëhet e ditur, ai është neutralizuar nga shërbimet e Policisë.