Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë njoftoi se Alex Whiting do të zëvendësoj kryeprokurorin deritanishëm, Jack Smith, pasi ai më 18 nëntor u emërua në SHBA si prokuror i posaçëm për hetimet penale për mbajtjen e dokumenteve të klasifikuara në resortin Mar-a-Lago nga ana e ish-presidentit Donald Trump dhe mbi rolin e tij në trazirat e 6 janarit 2021, në Kongresin Amerikan.
Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Hagë, Whiting do të ushtrojë funksionet e Ushtruesit të Detyrës të Prokurorit të Specializuar deri në emërimin e një Prokurori të Specializuar të ri.
“Ai ka saktësisht të njëjtat kompetenca me ato të një Prokurori të Specializuar dhe nuk do të ketë ndërprerje të punës së ZPS-së në asnjë aspekt”, thuhet në njoftim.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar – që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale – hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000./REL