Kryeministri Edi Rama iu rikthye sot sërish aksionit për ndërtimet pa leje, që do të konfiskohen nga shteti.
Ai tha se me 15 konfiskimet që firmosi sot dhe që do i kalojnë shtetit i vendos kapakun kësaj historie duke e cilësuar të mbyllur aksionin.
“Sot kam firmosur pas kalimit në të gjitha hallkat, 15 procedura konfiskimi ndërtimesh që kanë kaluar kufijtë apo është ndërtuar pa leje.
Ndërtimet do të përdoren për interes publik. Hapësirat do i kalojnë shtetit. Ky operacion që ka vazhduar përtej Tiranës, përbën edhe kapakun e kësaj historie.
Çfarë nuk na dëgjuan veshët dhe ç’nuk ju thanë kur e nisëm operacionin e ligjzbatimit për shkeljet e lejeve të ndërtimit për qëllim fitimi!
Por mes sfidave të mëdha të kohës që jetojmë dhe llumit të pandarë të gjysëm të vërtetave, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, do të vazhdoj t’ju them atë që bëj, e do vazhdoj ta bëj atë që them” tha Rama.
Kryeministri nuk i publikoi emrat e shkelësve të ligjit që ndërtuan pa leje dhe që u konfiskoi hapësirat.