Kryeministri Edi Rama ka vizituar qarkun e Lezhës pas përmbytjeve të ditëve të fundit për shkak të intensitetit të lartë të shiut. Ai nuk ngurroi ta përdorte situatën për të sulmuar mediat, duke theksuar se “Vendosen kamerat në mënyrë të qëllimshme, lëshohen gojët në mënyrë të qëllimshme”.
Kreu i qeverisë ishte i shoqëruar nga kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, i cili e njohu me situatën. Ndreu tha se pavarësisht reshjeve të dendura të shiut, situata ndryshe nga vitet e tjera është më e qetë, pasi të gjitha strukturat ishin në këmbë. Kryebashkiaku theksoi gjithashtu se bashkia dhe gjithë institucionet shtetërore janë pranë çdo qytetari.
“Dje ka qenë niveli shumë të lartë, sot në mëngjes ra. Është një urë problematike, se është e vjetër. Del deri matanë, andej nga lagjia, pastaj pjesa e shtëpive është para, që është më problem për shkak të mbushjes me ujë. Janë nja 40 shtëpi”, tha Ndreu.
Nga ana tjetër kryeministri Edi Rama theksoi se është e pamundur për t’i bërë ballë natyrës, megjithatë investimet në kanalet kulluese bënë që përmbytjet këtë herë të mos ishin fatale, ndryshe nga vitet e shkuara kur gjithçka përfundonte nën ujë. Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se propaganda po e dëmtojnë më shumë se shiu Shqipërinë.
“Vendosen kamerat në mënyrë të qëllimshme, lëshohen gojët në mënyrë të qëllimshme. Po ta shohësh situatën në media, duket sikur këtu është bërë qameti. Në momentin kur vjen furishëm, nuk ke çfarë i bën ujit, kjo ndodh kudo, që nga lavamani i shtëpisë edhe deri në Gjermani”, tha Rama.