Pas stuhisë që përmbyti Shkodrën, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak njofton se duke filluar nga dita e nesërme mbi vendin tonë pritet përmirësim gradual, i vogël i kushteve atmosferike.
Moti parashikohet fillimisht me vranësira mesatare dhe të dendura shoqëruar me reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në formën e shtrëngatave.
Në relievet malore në lartësitë mbi 1000 metër këto reshje do të jenë në formën e dëborës.
Duke nisur nga orët e mesditës moti parashikohet me kthjellime e vranësira kalimtare të cilat do të jenë më tepër prezente përgjatë relieveve malore në lindje.
Si pasojë e uljes së intensitetit të reshjeve pritet të ulet rreziku i përmbytjeve në basenet e lumenjve Drin dhe Buna. Në lumenjtë e tjerë në gjithë territorin, pritet ulje e prurjeve dhe nuk pritet rrezik nga përmbytjet. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi u shpreh se pas veriut, stuhia do të zhvendoset drejt Jugut.
Era do të fryjë me drejtim jugperëndim – veriperëndim me shpejtësi mesatare 1-7m/sek, ndërsa në bregdet ajo fiton shpejtësi deri në 8-10m/s. Valëzimi në dete i forcës 1-2 ballë.