SPAK njofton se drejtoresha e Byrosë Kombëtare të Hetimit Aida Hajnaj zhvilloi një trajnim Romë me agjencitë më të njohura ligjzbatuese të Italisë, përkatësisht në Drejtorinë Hetimore Antimafia, Departamentin kundër Krimit Kibernetik të Policisë së Shtetit Italian, Njësinë Speciale të Policisë Monetare “Guardia di Finanza” dhe Grupin e Operacioneve Speciale të Armës Karabinieri (ROS).
Zyra e shtypit thotë se qëllimi i kësaj vizite ishte njohja nga afër dhe vendosja e urave të drejtpërdrejta të bashkëpunimit midis BKH-së dhe agjencive kompetente italiane për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në vendin fqinj.
“Drejtuesit e të gjitha agjencive me të cilët u zhvilluan takime, ofruan mbështetje maksimale për të shkëmbyer eksperiencat më të mira me qëllim ngritjen dhe konsolidimin e strukturës së BKH-së, bazuar në modelet më të mira të suksesit, vendosjen e bashkëpunimit institucional midis strukturave, si në shkëmbimin e informacionit policor ashtu edhe në operacionet dhe hetimet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit” mbyllet njoftimi.