Të tjera detaje publikohen nga zbulimi i laboratorit të kokainës në zonën e Fierit. Po ashtu, është zbardhur itinerari i plotë i transportit të drogës nga Amerika Latine në Shqipëri. Gjithashtu edhe roli i shtetasve kolumbianë të arrestuar.
I shpalluri në kërkim, kolumbiani Zaimir Rodrigez, (i cili dyshohet se kishte ardhur në Shqipëri për të bërë ndarjen e kokainës nga plehu kimik) bashkë me dy të tjerë, janë të specializuar për ta nxjerrë lëndën narkotike nga çdo përzierje tjetër, përfshi edhe nga rrobat.
Këta shtetas raportohet se kanë precedentë të theksuar kriminal në vendin e tyre. Po ashtu ata kanë qenë në shërbim të një klani shumë të njohur në Kolumbi. Dy të arrestuarit janë njëri kimist dhe tjetri teknolog. Ndërsa Zaimir Rodrigez është kimist i mirëfilltë që ka punuar për klanin mafioz “Kali”.
Thasët me pleh kimik të përzier me kokainë, pasi janë futur në territorin shqiptar, janë bërë disa ndryshime vendi, të paktën 3 herë, deri kur ka mbërritur në destinacion përfundimtar në Frakull të Fierit, te porositësi. Pikërisht aty ku ishte edhe laboratori ku do bëhej ndarja e drogës nga plehu kimik.
Grupi hetimor sqaron se gjithçka ka qenë në monitorim, hetim dhe përgjim nga autoritetet shqiptare. Po ashtu edhe ato malazeze, DEA, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë.
ITINERARI I NGARKESËS:
Në maj është bërë porosia dhe është nisur në portin Buenaventura në Kolumbi me anijen “Monte Cervino” një kontejner me pleh organik i shpërndarë në 20 paleta.
Më pas ky kontejner ka bërë ndalesë në Greqi në portin e Pireut. Ngarkesë që ishte në tranzit përmes Malit të Zi në portin e Tivarit, ndërsa destinacioni përfundimtar ishte Shqipëria.
Ndonëse ka pasur sinjalizim nga porti, është dhënë urdhër që të mos flitet në lidhje me kontejnerin pasi ishte hetim disa mujor nga të paktën 5 agjenci ligjzbatuese të 5 vendeve të ndryshme.