Nëse do të kishim një industri më të zhvilluar, vendi do ta kishte pasur më të lehtë që të përballej me krizën globale të çmimeve dhe lëndëve të para.
Por, Shqipëria vijon të ketë strukturë të paqëndrueshme ekonomike, me varësi të lartë nga bujqësia dhe ndërtimet (kjo e fundit zë një peshë të konsiderueshme në industrinë e vendit, ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit, që janë më të orientuara te prodhimi).
Prodhimi i lartë bujqësor nuk është shfrytëzuar për të nxitur industrinë prodhuese vendase, duke e bërë Shqipërinë një ndër vendet me peshë më të ulët të industrisë në Europë. Shqipëria i ka përqendruar kapitalet e lira në sektorin e ndërtimit, i cili ka peshën më të lartë në Europë, në raport me vlerën e shtuar bruto të ekonomisë.
Kjo strukturë e ekonomisë reflektohet dhe në renditjen e kompanive më të mëdha, sipas fitimeve, ku sipërmarrjet nga kjo fushë janë me pikatore, shkruan Monitor.
Nuk ka asgjë për t’u habitur që sipërmarrësit vendas nuk shfaqin ndonjë interes për të investuar në industrinë përpunuese. Ky sektor është ndër më pak fitimprurësit në vend. Në listën e 200 më të mëdhenjve ka vetëm 6 subjekte nga industria përpunuese.
Ndryshe nga viti 2020, kur shumë kompani përpunuese arritën të ruajnë norma të qëndrueshme fitimi, pavarësisht krizës, në vitin 2021, rritja e kostove nga ndërprerjet që shkaktoi pandemia në zinxhirin e furnizimit, ka bërë që fitimet për shumë prej tyre të ulen.