Me kërkesë të prokurorisë, gjykata ka firmosur pesë urdhër arresti në shtëpi lidhur me sulmet kibernetike të sponsorizuara nga Irani prej muajit korrik në Shqipëri.
“Punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.
Këta persona me mosveprimet e tyre kanë sjellë pasoja të rënda dhe kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal” thotë prokuroria.
Ku u fut fillimisht virusi?
Prokuroria deklaron se virusi i hakerave të sponsorizuar nga Iranit ka hyrë fillimisht tek administrata.al dhe më pas keqbërësit kanë shtënë në dorë të dhënat nga sistemet e tjera publike online.
Cilat ishin shkeljet e zyrtarëve?
“Stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës.
Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij” thotë prokuroria.
Personat në arrest shtëpie
Alketa Sula– Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Ministrinë e Brendshme;
Altin Sallaku– Përgjegjës, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike, Përgjegjës, Sektori i IT në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve;
Rudina Llagami– Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike;
Igli Lubonja– Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike; dhe
Albi Gjeka– Specialist, Sektori i IT në Departamentin e Administratës Publike.
Prej disa muajsh cdo javë hakerat publikojnë të dhëna sensitive të qytetarëve. Kulmi ishte me goditjen dhe hakerimin e sistemit TIMS.