Është emëruar “tregu më i mirë i Krishtlindjeve në botë” nga agjencia e udhëtimeve “Planet Cruise”, dhe këtë vit blerësit po kthehen në Bryant Park të Nju Jorkut.
Në Bryant Park të qytetit të Nju Jorkut, njerëzit tashmë kanë filluar të mblidhen për të blerë artikuj të Krishtlindjeve.
I njohur zyrtarisht si “Holiday Shops”, në tregun që operohet nga kompania “Urbanspace” në Fshatin Dimëror të Bankës së Amerikës bizneset e vogla shpresojnë të kompensojnë humbjet e dy viteve të fundit.
Tregjet e Krishtlindjeve kanë qenë të njohura në Gjermani, Austri, dhe pjesë të tjera të Evropës për shekuj me radhë.
Në Nju Jork, tregu i festave në Grand Central dhe ai në Union Square u hapën në vitin 1993. Kompania “Urbanspace” tani operon tre tregje festash në Nju Jork: Bryant Park, Union Square dhe Columbus Circle.
Për shkak të pandemisë, pati shumë kufizime gjatë sezonit të festave në vitin 2020, kur u hap me kufizime vetëm tregu në Bryant Park.
Vitin e kaluar, tregu në Bryant Park ishte i hapur me kapacitet të plotë, por ai në Union Square ishte me 80 për qind kapacitet dhe ai në Columbus Circle me 50 për qind.
Këtë vit, përveç hapjes me kapacitet të plotë të tre tregjeve, kompania “Urbanspace” do të hap një tjetër treg gjatë sezonit të festave në Brooklyn.
Sezoni i blerjeve të festave në nëntor dhe dhjetor është kyç për shumë biznese pasi ato mund të përbëjnë rreth 20 për qind të shitjeve të tyre vjetore.
Por pronarët e bizneseve të vogla thonë se kjo është një përpjekje rëndësishme për të vendosur kontakte me klientët dhe për të promovuar produktet e tyre të sezonit të festave.