Kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviç dhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky nënshkruan të hënën një deklaratë të përbashkët për perspektivën euroatlantike të Ukrainës.
Zelensky tha se të dy vendet kanë marrëdhënie të hapura, miqësore dhe falënderoi qytetarët e Malit të Zi për mbështetjen dhe mikpritjen ndaj atyre që ikën nga Ukraina.
“Dua të nënvizoj se Mali i Zi është një shtëpi për refugjatët, gratë dhe fëmijët, familjet që kanë nevojë për mbështetje që nga fillimi i agresionit. E di, pa këtë marrëdhënie, nuk do të ishte kështu. Unë shoh unitet, që nga dita e parë ne pamë mbështetjen tuaj të vazhdueshme. Ne patëm edhe një takim të mrekullueshëm dhe e dimë se na përkrahni në të gjitha drejtimet “, tha zoti Zelensky gjatë një videolidhje me Abazoviçin, me rastin e nënshkrimit të deklaratës së përbashkët për perspektivën euroatlantike të Ukrainës.
Presidenti Zelensky po ashtu tha se mbështetja e Malit të Zi për Ukrainën, e cila erdhi pa hezitim, ishte rezultat i bashkëpunimit të përbashkët.
“Ne e vlerësojmë mbështetjen tuaj në muajt e kaluar. Falënderoj gjithashtu të gjithë në Mal të Zi që mbështesin Ukrainën dhe besojnë në fitoren tonë. Do të jetë fitorja jonë e përbashkët. Kemi sfida dhe është mirë të kemi mirëkuptim të ndërsjellë dhe të luftojmë për të njëjtat vlera, “ tha Zelensky.
Abazoviç tha se “ukrainasit mbrojnë një qytetërim që ka vendosur të jetojë në liri dhe demokraci. Ai tha se Ukraina do ta fitojë luftën dhe do të çlirojë të gjithë territorin e atij vendi./VOA