Gjykata e Apelit Tiranë ka kthyer për plotësim në prokurori dosjen e vrasjes së Jurgen Kurtit, ngjarje kjo e ndodhur në muajin mars 2019 në Tiranë. Gjykata deri tani ka dënuar për vrasjen Elsi Levendin me 16 vite burg.
Hetimi do të vazhdojë për tre shokët e tij që akuzohet se e ndihmuan, Alesio Berberin, Olsi Qalliaj dhe Klodian Banen, pasi familja ankimoi vendimin e pushimit të akuzave.
Vrasja e Jurgen Kurtit i njohur në Tiranë si “Menaxheri i Vipave” u krye në zonën e sheshit “Willson”, ku qëllua me 17 plumba automatiku.
I vetmi person i dënuar për këtë ngjarje, Elsi Levendi, deklaroi në prokurori se kishte dëgjuar krismat e armës dhe nga zona ku ndodhej mori menjëherë taksi për t’u larguar.
Por prokuroria insiston se Elsi Levendi është autor i krimit dhe se personave të tjerë si Alesio Berberi, Olsi Qalliaj dhe Klodian Bane nuk mund t’u provohet akuza.
Sipas dosjes, menjëherë pasi e qëlloi për vdekje Jurgen Kurtin, vrasësi u largua me një taksi, pasi bleu një paketë cigare dhe me pas hipën në një “Audi” që drejtohej nga Qalliu.