I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha para gazetarëve se janë duke punuar që takimi i radhës i nivelit të lartë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të mbahet brenda javësh.
“Mund të kthehem sërish së shpejti për t’u siguruar që takimi [Kurti-Vuçiq] do të jetë i përgatitur mirë dhe besojmë se nuk ka më kohë për të humbur”, tha ai.
Këto deklarata Lajçak i bëri pas takimit që pati në Prishtinë me kryeministrin Kurti. Ai tha se gjatë takimit është diskutuar edhe për çështjet aktuale, veçanërisht situatën në veri pas largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës dhe përgatitjet për zgjedhjet lokale.
Në nëntor, serbët në veri të Kosovës u larguan nga institucionet e drejtësisë, Policia, niveli lokal, por edhe nga Qeveria dhe Kuvendi, në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targave serbe.
Por, ndërkohë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia arritën një marrëveshje për çështjen e targave, mirëpo jo edhe për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.
Vuçiq deklaroi më 24 nëntor se serbët nga veriu i Kosovës do të kthehen në institucionet e Kosovës kur të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij. Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Në të njëjtën ditë Kurti kishte deklaruar se kthimi i serbëve në institucione nuk mund të jetë politik dhe se është çështje ligjore dhe kushtetuese.